‘Kaos për të gjithë’, LV-ja e kritikon Përparim Ramën për dështim dhe mosrealizim të premtimeve
“Kaos për të gjithë” është titulluar aktiviteti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është mbajtur për adresuar kritika për qeverisjen njëvjeçare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Kjo parti në sheshin “Nënë Tereza” ka vendosur pankarta që sipas tyre tregojnë dështimet dhe premtimet që nuk janë realizuar nga kryetari Rama.
Dështimin e qeverisjes së Lidhje Demokratike të Kosovës (LDK) në komunën e Prishtinës, LV-ja i ka lidhur edhe me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se për një vit qeverisje jeta e qytetarëve të Prishtinës është bërë e rëndë dhe më e vështirë.
“Siç mund ta dini, sot janë bërë saktësisht një vit prej se Përparim Rama është betuar si kryetar i Prishtinës. Kjo është arsyeja e këtij aktiviteti të sotëm, këtu në shesh, ku përmes këtyre 12 pamjeve që i kemi marrë neper lagjet te ndryshme te qytetit, i kemi paraqitur këta 12 muaj qeverisje të koalicionit LDK-PDK, në krye me Përparim Ramën”, ka thënë Sveçla.
Ai ka thënë se Prishtina ka më shumë mbeturina, më shumë rrezik nga qenët endacak, kolona të gjata dhe shumë probleme të tjera.
“E tëra çka kemi parë për këto 12 muaj janë disa veprime kozmetike të kryetarit Rama dhe drejtorëve të tij, si dhe disa vendime të pa analizuara e pa menduara mirë, e të cilat vetëm se kanë përkeqësuar gjendjen edhe ashtu skajshmërisht të keqe”, ka thënë Sveçla, duke shtuar se 206 premtime e kryetarit Rama kanë mbetur vetëm në letër.