Kapen 10 ton kokainë me vlerë mbi 300 milionë dollarë
10 ton kokainë u sekuestruan të martën nga autoritetet në Kolumbi, sasia më e madhe e kapur deri më tani për këtë vit.
Autoritetet shkatërruan po ashtu 2 laboratorë droge në juglindje të vendit. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes Diego Molano, i cili tha se, kokaina dhe laboratorët i përkisnin grupit rebel të quajtur Ushtria Çlirimtare Kombëtare (ELN). Ato u gjetën në një zonë rurale në bashkinë e Samaniego, që ndodhet në provincën e Narino, pranë kufirit me Ekuadorin.
“Kjo është goditja më e fortë sa i përket sekuestrimit të kokainës deri më tani për këtë vit”, tha Molano.
Sipas tij grupi do të përfitonte një shumë të ardhurash prej më shumë se 300 milionë dollarësh.
Pavarësisht luftës prej dekadash tashmë kundër trafikut të drogës, Kolumbia mbetet një prej prodhuesve kryesorë të kokainës dhe përballet me presion të vazhdueshëm nga SHBA, për të ulur sasinë e të mbjellave të kokës, përbërësit kryesor të kësaj droge, ashtu sikurse edhe prodhimit të kokainës.
Trafiku i drogës ndihmon në financimin e grupeve të armatosura në Kolumbi në mesin e një konflikti të gjatë të armatosur të brendshëm që deri më tani i ka kushtuar jetën më shumë se 260 mijë personave.
Në 2020-n, autoritetet kolumbiane sekuestruan një sasi rekord prej 505 ton kokainë./tvklan.al