Kapen 18 kilogramë drogë në kufirin Shqipëri – Mali i Zi
Zyrtarë policorë dhe doganorë të Malit të Zi kanë njoftuar se kanë kapur 18 kilogramë drogë në një makinë me targa të Shqipërisë në pikën kufitare Sukubinë-Muriqan.
Sipas një njoftimi të përbashkët të Drejtorisë së Policisë dhe Drejtorisë së Tatimeve të Malit të Zi, personi D.K. (26 vjeç) nga Shkodra, i cili po drejtonte makinën e tipit Mercedes Benz, u ndalua dhe dyshohet se tentoi të kontrabandonte marihuanë nga Shqipëria në Mal të Zi.
Droga gjendej në 35 paketime dhe ishte e fshehur në pjesë të ndryshme të makinës.n “D.K., i cili u arrestua pasi në makinën e tij u gjet droga, iu dorëzua zyrtarëve të policisë kufitare të Shqipërisë për procedim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia malazeze në mënyrë të vazhdueshme ka bllokuar sasi të dukshme të drogës, të llojit marihuanë, e cila transportohet në format të ndryshme drejt Malit të Zi.
Zonat kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë si Lumi Buna, Liqeni i Shkodrës, zona e Malësisë dhe ajo e Vermoshit konsiderohen si territore më të përshtatshme për trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi dhe Evropës.