Kapen armë e municion në Pejë, gjashtë të arrestuar
Njësia e hetimeve të stacionit policor në Pejë në bashkëpunim me njësitë e tjera, gjatë punëve intensive operativo – hetimore, ka arritur që të identifikojë personat e dyshuar për veprën penale ‘vjedhje pylli’ shtetasit I. M. dhe V. A. në një pronë private të fshatin Gllogjan në komunën e Pejës.
Pas arrestimit të tyre nga hetuesit, gjatë intervistimit ata kanë pranuar veprën e kryer, por kanë njoftuar hetuesit se në rrugën e fshatit Kosuriq ishin ndaluar dhe kanosur me armë nga shtetasit P. K. dhe P. U.
Hetuesit kanë realizuar dy bastisje dhe kontrolle në shtëpitë dhe objektet tjera përcjellëse te të dy të cekurve më lartë.
Gjatë kontrollit në shtëpitë e tyre nga policia janë konfiskuar një armë automatike “AK-47”, një karikator, 10 copë fishekë të kalibrit 7. 62 X 39mm, 10 copë fishekë kalibri 7. 35mm, një pushkë gjuetie e prodhimit turk, 93 copë armë kalibri 12 mm, një pistoletë “CZ” prodhim jugosllav, dy karikatorë, nëntë copë fishekë të kalibrit 7. 65mm, një armë automatike “AK-47” prodhim kinez, një karikator dhe 26 copë fishekë të kalibrit 7. 62 X 39mm.
Lidhur me çështjen janë iniciuar rastet “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim i paautorizuar i armës”.
Po ashtu, sektori i hetimeve nga ky stacion policor, kanë siguruar një incizim ku një i dyshuar i panjohur nga një automjet gjuan me armë zjarri. Lidhur me çështjen është iniciuar rasti si “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Pas një pune operative në terren është arritur të identifikohet dhe të arrestohet i dyshuari F. R., të cilit i është konfiskuar arma automatike “Shkorpion” me të cilën edhe dyshohet se kishte gjuajtur në ajër.