Kapen rreth 2 000 kg mish me afat të skaduar në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale Prishtinë, përmes rrugëve operative ka pranuar informatë mbi dyshimin që disa nga prodhuesit e produkteve të mishit, janë duke abuzuar me produktet me afat të skaduar, duke filluar nga shitja e tyre me çmim më të lirë, e deri te ri-përpunimi i tyre dhe ofrimi për konsum te qytetarët.
Më datën 20 tetor 2023, në konsultim me Prokurorinë Themelore, është realizuar Plani Operativ në bashkëpunim me Inspektoratin e AUV-it me ç’rast janë kontrolluar disa kompani, në tri lokacione të ndryshme Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë, ku është bërë kontrollimi i gjithmbarshëm i mallrave/produkteve dhe dokumentacionit përcjellës.
Në lokacionet e inspektuara/kontrolluara, janë gjetur rreth 2000 kg mish dhe produkte të mishit me afat të skaduar, ku një pjesë është asgjësuar, ndërsa një pjese iu janë marr mostrat për dërgim në laborator.
Pas inspektimit të lokacioneve, është përpiluar procesverbal mbi ecurinë e operacionit, ndërsa është iniciuar rasti “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, ku nga njësitet e DHKEK-së janë duke vazhduar veprimet operativo-hetimore, thuhet në një komunikatë për media të Policisë së Kosovës.