Kapen rreth 55 kilogramë marihuanë në Vërmicë (Foto)
Dogana e Kosovës ka bërë me dije se oficerët doganorë kanë arritur të identifikojnë dhe të kapin mbi 55 kilogramë marihuanë, e cila ishte tentuar të futet në Kosovë nëpërmjet pikëkalimit kufitar në Vërmicë.
“Në orët e mbrëmjes në pikë-kalimin e Vërmicës ka arritur një automjet i llojit ‘Opel Meriva’ me targa të Shqipërisë e drejtuar nga një shtetas shqiptar. Pas profilizimit nga oficerët doganorë automjeti është ndaluar për kontroll të dyfishtë. Në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, është kryer kontroll e përbashkët me Policinë e Kosovës dhe Njësitin antikontrabandë ku gjatë kontrollit është dyshuar se automjeti në fjalë ka dysheme të dyfishtë në të cilën mund të kishte mallra të ndaluar. Pas hapjes së dyshemesë janë hasur 53 paketime të substancës narkotike të dyshuar marihuanë (29 paketime marihuanë dhe 24 paketime marihuanë ‘çokollatë’). Pesha e kësaj substance narkotike është 54 kilogramë e 963. 24 gramë”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, drejtuesi i automjetit është arrestuar dhe rasti është përcjellë tek Policia e Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
/Epoka e re/