Kapen tetë thasë me drogë në Istog
Pasditen e sotme Policia e Kosovës ka sekuestruar tetë thasë me lëndë narkotike në Istog.
Rreth orës 13:50 është ndaluar një veturë dhe gjatë kontrollimit të veturës njësitë patrulluese të Istogut kanë vërejtur një sasi narkotikësh në bagazh të veturës.
Këtë e ka konfirmuar për “lajmi.net”, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.
“Rasti ka ndodhur sot rreth orës 13 e 50 minuta. Njësiti patrullues i Policisë së Kosovës, nga Stacioni policor Istog kanë ndaluar një mjet të tipit “Mitsubish” me targa vendor. Gjatë kontrollimit në bagazhin e këtij automjeti kanë hasur në 8 copë thasë të mbështjellura, që është dyshuar se është substancë e dyshuar narkotikë. Personat e dyshuar janë arrestuar, të dytë janë shqiptarë. Automjeti i tyre edhe sasia e drogës janë konfiskuar”, ka thënë Ibraj.
Ai po ashtu ka thënë se Njësiti i Antidrogës në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit janë duke marrë masat e nevojshme.