Kapen tre punëtorët e “Pasta Fasta’ duke keqpërdorur mallin, dyshohet se shkaktuan dëm rreth 60 mijë euro
Tre punëtorë të kompanisë “Pasta Fasta”, dyshohet se muaj të tërë kanë keqpërdorur dhjetëra mijëra euro mall në depon e kompanisë. Njëri rast ka ndodhur në fshatin Konjuh të Lipjanit, ndërsa tjetri në Ferizaj. Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar, pronarja e “Pasta Fasta”, Arrita Plakolli Haxhimehmeti.
Plakolli-Haxhimehmeti tha se dëmi i shkaktuar nga dy punëtor në Lipjan është rreth 40 mijë euro.
“Dy punëtorë A.H. dhe L.H (babë e bir) kanë shkaktuar dëm rreth 40 mijë euro, ishin në depo tu punu. Rasti ka ndodhur në Konjuh të Lipjanit. Na e kemi denoncu rastin në polici, tash merret polica me ta“, tha ajo.
Tutje, pronarja e kompanisë tha se një rast tjetër ka ndodhur edhe në Ferizaj, ku një punëtore femër ka shkaktuar dëm mbi 20 mijë euro.
“Keqpërdorim ka ndodhur edhe në pikën e Ferizajit, prej një femrës, ku vlerat janë mbi 20 mijë euro. Punëtorja është me inicialet E.B“, theksoi Arrita Plakolli Haxhimehmeti për Insajderin.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku bëhet e ditur se të dyshuarit babë e bir janë liruar në procedurë të rregullt, teksa rasti është cilësuar ‘Keqpërdorim i besimit’.
“Ankuesi mashkull kosovar pronar i një kompanie ka raportuar se dy punëtorët e tij të dyshuarit meshkuj kosovarë, nuk i kanë kthyer shitjen e një sasie të mallit edhe pse e kanë premtuar pronarin se parat do ia kthejnë me datë të caktuar. Dy të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.