
Kapet drogë në vlerë rreth 15 mijë euro në Prishtinë dhe arrestohen katër persona
Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të koduar “Blloku”, i cili është bërë pas pranimit të informacioneve se persona të dyshuar dyshohet se janë duke u marrë me shitblerjen e narkotikëve dhe me ç’rast janë arrestuar katër persona.
Në lidhje me këtë rast, është bërë me dije se vlera e substancës narkotike e shitjes parashihet të jetë rreth 15 mijë euro.
Në njoftimin e policisë është bërë me dije, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik ka ndaluar një automjet në magjistralen Prishtinë- Podujevë në të cilën ndodheshin dy persona.
Siç është në njoftimin e policisë, gjatë kontrollimit të veturës është gjetur një sasi e substancës narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 10.4 gram dhe se personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion policor.
Operacioni policor ka vazhduar tutje për identifikimin e veturës së dytë dhe personave të tjerë të përfshirë në rast dhe dy të dyshuarit, që përkundër tentativës për të ikur dhe pas hedhjes së substancës narkotike në tokë në sasi prej 420.2 gram, janë arrestuar.
Policia ka njoftuar se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe në konsultim me të njëjtin hetuesit policor kanë kryer kontroll në banesën të cilën e kanë shfrytëzuar të dyshuarit janë gjetur:
– Një paketim me bari të gjelbër e dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë 1063.8 gram,
– Një qese me bari të gjelbër e dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë 31.8 gram,
– Sasi e pluhurit ngjyrë të bardhë e dyshuar për narkotik të llojit kokainë me peshë 22.6 gram dhe
– 3 – peshore digjitale.