Kapet nga komisionerët duke e fotografuar votën në Rahovec, arrestohet
06 tetor 2019
| 14:20
Në qendrën më të madhe të votimit në Rahovec, në shkollën fillore “Isa Boletini” është arrestuar një person i cili nga komisionerët aty është vërejtur duke e fotografuar votën. Pas kësaj bëhet e ditur se ai e ka grisur fletëvotimin e tij.
Thirrjes së komisionerëve i është përgjigjur policia, të cilët momentalisht janë duke e intervistuar personin e dyshuar.
Sipas përfaqësuesit të DnV-së në Rahovec, Dukagjin Nishiqi, ky rast llogaritet edhe si presion dhe jo votë e lirë dhe njëkohësisht është vepër penale dhe se pret që organet e rendit të merren me të.
Ai po ashtu ka bërë me dije se personat që kryejnë vepra të tilla sipas ligjit në fuqi dënohen deri në gjashtë muaj burgim.