Kapiteni i Kosovës: Japim maksimumin
Kosova do të ketë dy ndeshje shumë të rëndësishme në parakualifikimet për FIBA Eurobasket 2025. Dardanët më 25 Nëntor përballen me Norvegjinë në udhëtim, ndërsa më 28 nëntor e presin Danimarkën. Të dy ndeshjet zhvillohen nga ora 19:00. Vendi i parë kualifikohet tutje, si dhe vendi i dytë më i mirë nga tri grupet parakualifikuese.
Kapiteni i dardanëve, Dardan Berisha është shprehur se do të japin maksimumin. “E dimë rëndësinë e ndeshjeve dhe sigurisht se do të japim maksimumin në këto dy përballje të rëndësishme për ne. Fillimisht do të përballemi me Norvegjinë, kurse më pas takohemi me Danimarkën në Prishtinë, ku shpresojmë përkrahje nga publiku, që na ka munguar shumë, edhe pse do të jetë në numër më të vogël”, është shprehur Berisha për faqen zyrtare të FBK-së.
Ai ka motivuar skuadrën para këtyre dy ndeshjeve. “Besoj se të gjithë do të japin më të mirën në këtë ndeshje. Për ne është nder të luash për vendin tënd dhe shpresojmë në rezultate pozitive në këto dy përballje”, ka shtuar Berisha.
Basketbollistët e Kosovës në fundjavë kanë stërvitur në Prishtinë dhe të hënën udhëtuan drejt Norvegjisë, aty ku presin edhe përkrahjen nga tifozët shqiptarë, ashtu siç e kanë përkrahur në çdo ndeshje si mysafirë.