Kapiteni i Kosovës synon të bëhet edhe kapiten i Napolit
Qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani ka synime të mëdha me skuadrën e Napolit.
Në fakt, ai synon që me fanellën e klubit nga Serie A të shkruajë historinë, si dhe të bartë shiritin e kapitenit në një të ardhme të afërt.
Kështu ka insistuar agjenti i Rrahmanit, Adrian Aliaj për mediumet italiane të premten.
Rrahmani duket se e ka stabilizuar veten te Napoli pasi ka qenë i pazëvendësueshëm në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
“Më në fund, gjithçka po kthehet në vendin e duhur. Unë kurrë nuk kam pasur dyshime në lidhje me cilësitë e Amirit, i cili shpreson që të shkruajë historinë me Napolin dhe një ditë të bëhet kapiten i ekipit”, ka thënë Alijaj.
“Amiri gjithmonë më thotë se e do qytetin, e do klubin dhe është i lidhur me tifozët e Napolit”.
Rrahmani para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Napolit nga Verona dhe këtë sezon në total ka 12 paraqitje e një asistim në të gjitha garat. Ai ka kontratë me ekipin italian deri në vitin 2024.