
Kapitenja Demaj operohet me sukses, premton kthim edhe më të fuqishëm
Kombëtarja e Kosovës në hendboll mori një goditje të rëndë në prag të ndeshjeve me Suedinë, që i takojnë fazës së fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror 2025.
Kapitenja dhe liderja, Leonora Demaj, është lënduar javë më parë, ndërsa këtë javë i është nënshtruar një operimi. Operimi ka përfunduar me sukses të plotë, por Demaj do të mungojë gjatë. Ajo megjithatë ka premtuar kthim edhe më të fortë dhe kontribut të mëtejmë për Kombëtaren tonë.
“Është lëndim i ligamentit të kryqëzuar, por në këmbën e majtë e jo në të djathtën që e kisha të lënduar më herët. Operimi ka shkuar shumë mirë, ndërsa tash më pret periudhë njëvjeçare e rehabilitimit”, ka treguar Demaj.
Ajo për kohë të gjatë ka shkëlqyer te Kosova dhe e ka udhëhequr Kombëtaren drejt sukseseve historike.
Në vjeshtë ishte golashënuesja më e mirë e fazës së parë kualifikuese për Botëror. Në dy ndeshje i realizoi plot 24 gola. Kosova mposhti Belgjikën dhe Bosnjë-Hercegovinën dhe avancoi.
Leonora Demaj bën karrierë në Danimarkë dhe është shquar me paraqitje dhe efikasitet deri në pësimin e lëndimit.
Kombëtarja jonë më 10 e 13 prill përballet me Suedinë në fazën e dytë kualifikuese për Botëror. Ndeshja e parë është në Karlskrona të Suedisë, ndërsa e dyta në Prishtinë.