Kapiti dhe Shoshi presin fitore ndaj Zvicrës dhe Irlandës

19 nëntor 2024 | 15:34

Basketbollistët e Kosovës kanë zhvilluar edhe stërvitjen e fundit në Kosovë para dy ndeshjeve shumë të rëndësishme ndaj Zvicrës dhe Irlandës. “Dardanët” do të përballen me Zvicrën më 21 nëntor në Bern, kurse me Irlandën më 24 nëntor në Dublin. Qendra e Kosovës në basketboll, Dardan Kapiti, ka bërë me dije se “dardanët” janë përgatitur mirë për dy ndeshjet me Zvicrën dhe Irlandën, derisa pret përkrahjen nga mërgimtarët në diasporë.

“Kjo është përgatitja e fundit këtu në Prishtinë dhe gjithçka ka shkuar mirë. Atmosfera është e mirë dhe kemi mësuar shumë gjera të mira nga selektori i ri. Jemi përgatitur maksimalisht për dy lojërat e ardhshme dhe presim përkrahje maksimale”, ka thënë Kapiti.

Për këto dy ndeshje ka folur edhe basketbollisti tjetër Lis Shoshi. Ky i fundit ka paralajmëruar se me përkrahjen e bashkatdhetarëve Kosova do të arrijë fitore. “E dimë sa shumë shqiptarë ka në Zvicër dhe presim përkrahjen e tyre. Normalisht se shkojmë për fitore. Jemi përgatitur maksimalisht dhe shpresoj se do të dalim triumfues”, ka deklaruar Shoshi, raporton “Epoka e re”.

Ndërsa ditë më parë edhe Federata e Basketbollit të Kosovës ka kërkuar përkrahje nga diaspora shqiptare. “Kosova do të ketë dy ndeshje shumë të rëndësishme në nëntor. Dy sfidat zhvillohen në udhëtim. ‘Dardanët’ kanë nevojë më shumë se kurrë për përkrahjen nga mërgimtarët në diasporë. Sfida e parë do të zhvillohet në Bern më 21 nëntor, e dyta në Dublin më 24 nëntor. Përkrahja nga mërgimtarët ku ka luajtur Kosova ka qenë e madhe, dhe kështu pritet të jetë edhe në Zvicër e Irlandë. Si gjithmonë përkrahja e tyre është infuzion për basketbollistët e Kosovës, në rrugët drejt kualifikimit”, shkruhet në njoftimin e FBK-së.

Këto takime Kosova i zhvillohen në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027. Lidere e Grupit A është Zvicra me dy fitore në dy ndeshje, derisa Azerbajxhani dhe Kosova kanë nga një fitore e një humbje. Irlanda është e fundit pa fitore me dy humbje në dy ndeshje. Kosova shënoi fitore ndaj Irlandës 83:76, kurse pësoi humbje nga Azerbajxhani 87:77. Dy ndeshjet e fundit të Kosovës do të jenë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm ndaj Zvicrës dhe Azerbajxhanit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka “inspektuar” punimet në rezidencën…