Kaq i kushton shtetit të Kosovës ambasadori Martin Berishaj
Martin Berishaj shërben si ambasador i Kosovës në Kroaci që nga viti 2021 dhe është një nga emrat më të përfolur në stafin diplomatik.
Kallxo.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka arritur të sigurojë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të dhënat mbi shpenzimet që janë bërë gjatë vitit 2023 për këtë diplomat.
Sipas raporteve të MPJD-së, vitin e kaluar Berishajt i është paguar qiraja vjetore e banesës në Zagreb në shumën prej 24 mijë euro, ose 2 mijë euro për muaj.
Bazuar në hulumtimin në internet, përfshirë atë në ueb-faqen që merret me udhëtimet dhe jetesën në Kroaci, “Inspired by Croatia”, marrja me qira e një apartamenti në qendër të Zagrebit zakonisht kushton 600 euro në muaj për një apartament me një dhomë gjumi në një ndërtesë të vjetër pa ashensor. Por, sipas së njëjtës faqe, apartamentet më të mëdha dhe më të bukura në Zagreb kushtojnë diku midis 800 dhe 1200 euro në muaj.
Paga mujore e Berishajt për vitin 2023 ishte 2 mijë e 746 euro e 71 centë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Byroja Kroate e Statistikave, paga mesatare në Kroaci që nga shtatori 2023 është 1,141 euro në muaj.
Për shpenzimet e sigurimit shëndetësor, shteti i Kosovës ka paguar 4 mijë e 803 euro në vitin 2023. Ndërkaq për telefoni mobile janë paguar 1 mijë e 318 euro e 4 centë.
Bazuar në të dhënat nga MPJD, drekat zyrtare të ambasadorit dhe stafit diplomatik përgjatë vitit 2023 kanë kushtuar 5 mijë e 214 euro e 55 centë. Kurse për derivate të misionit janë paguar 5 mijë e 254 euro 48 centë.
Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro tek një kompani private në Mal të Zi. Sipas mediumit slloven, “PlanetTV” kompania private është në pronësi të tij. Pavarësisht thirrjeve për shkarkim të tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vetë Berisha ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar.
Vitet e kaluara shkarkimi i Berishajt u kërkua edhe me protesta simbolike para Qeverisë së Kosovës, mirëpo nga drejtuesit e MPJD-së nuk pati lëkundje besimi në të, përkundrazi lajmi për “skandalin” u tha se nuk është i vërtetë. E vërteta rreth këtij rasti megjithatë ende nuk është zbardhur.
“Ambasadori nuk mund të tërhiqet apo shkarkohet pa pasur ndonjë të vërtetë. Përkundrazi disa media atje janë duke e përgënjeshtruar atë medium. Ambasadori Berishaj e gëzon besimin tonë dhe do të përfaqësojë atje” – pati deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz më 13.05.2022.
Pas akuzave për aferë, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte nisur procedurat për verifikimin e pasurisë së tij.
Berishaj kishte raportuar në AKK se ka pasuri të paluajtshme prej 382 mijë euro, përfshirë këtu dy banesa, një shtëpi dhe një tokë.
Ai ka deklaruar se ka dy banesa në vlerë 230 mijë euro.
Ambasadori ka deklaruar se banesën e parë me sipërfaqe 92 m2 e ka blerë në vitin 2001 me të hyra dhe kursime të përbashkëta familjare dhe atë e ka në pronësi të përbashkët.
Sipas raportit të AKK-së, banesën e dytë me të njëjtën sipërfaqe, Berishaj e ka blerë në 2006 me kursime për vetëm 50 mijë euro. Edhe këtë banesë ai e ka deklaruar në pronësi të përbashkët.
Berishaj gjithashtu ka një shtëpi, të cilën e ka deklaruar si trashëgimi nga prindërit e cila ka vlerën 72 mijë euro. Sipërfaqja e kësaj shtëpie, të cilën e ka në pronësi të përbashkët, është 170 m2.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci po ashtu e ka një tokë me sipërfaqe 62 mijë m2, për të cilën ka thënë se e ka trashëgimi nga prindërit, e cila kap vlerën e 80 mijë eurove.
Sa i përket pasurisë së luajtshme, Berishaj posedon një veturë në emrin e tij dhe një nën pronësinë e bashkëshortes- që të dyja në vlerë 57 mijë euro.
Vetura Mercedes E 220, është deklaruar se është e ambasadorit dhe është e blerë për 15 mijë euro me kursime.
Ndërsa, vetura Audi 8, e cila është nën pronësinë e bashkëshortes, e që po ashtu është blerë nga kursimet, kap vlerën prej 42 mijë euro.