Kaq të vështirë e keni të respektoni dhimbjen e shqiptarëve të Kosovës?!
Shkruan: Andi Bejtja
Unë jam nga ata që akoma vazhdoj e dëgjoj Goran Bregoviçin, kryesisht pjesën e rrokut kur ishte pjesëtar i ‘Bjello Dugme’, se në atë botë të viteve 80-90 thithnim e përthithnim çdo gjë që mund të na rregullonte shijen e këngëve të realizmit socialist…
E dëgjoja pa e ditur çfarë përfaqësonte politikisht e çfarë qëndrimesh kishte, madje as sot nuk e di tamam se çfarë përfaqëson politikisht e filozofikisht… Siç thashë mund ta dëgjoj dhe sot…por nuk jam aq cinik dhe injorant në të njëjtën kohë e ritheksoj dhe injorant, cinik dhe pa etikë, që për shembull të më vije për vizitë një Kosovar në shtëpi dhe ta vë për ta dëgjuar bashkë me të.
E pra shqiptarët e Kosovës janë vizitorë të përhershëm në shtëpinë tonë të madhe gjatë gjithë vitit e sidomos në verë, janë vizitorët më të shumtë në numër dhe sinqerisht nuk e lexoj atë “kodoshin” e Bashkisë së Korçës, qoftë dhe vetëm nisur dhe vetëm nga pikëpamja komerciale, (t’i lëmë të tjerat), që duke pasur këtë fluks kosovarësh, të shkojë e t’i kapë dora në një thes me këngëtarë, pikërisht këtë… duke rrezikuar në mënyrë të panevojshme madje dhe festën në vetvete…T’i lëmë anash gjitha teoritë konspirative, jo minishengeni, jo kështu jo ashtu…
Po mirë more injorantë kozmopolitë, merrni pak fryme thellë: kaq të vështirë e keni të respektoni dhimbjen e shqiptarëve të Kosovës, e dimë që kemi ndjesi të ndryshme, po kaq të vështirë e keni? Po a e dini ju o popull që i jepni birrë me zor dashit, që shumica e hebrenjve pas 45-tës, jo vetëm u dridhej mishi po të dëgjonin muzikë gjermane, po shumica dërrmuese e tyre nuk pranonin ta vizitonin Gjermaninë dhe kur kishin për të marrë lekë në bankë edhe pas 5 dekadash…
Kështu që në qoftë se do më duhet të zgjedh në këtë rast midis “Katundarëve të Kosovës” dhe “Kozmopolitëve të Shqipërisë”, pa dyshim jam me këta të parët. E meqë ra fjala do e dëgjoj edhe njëherë Goranin me kufje në vesh.