‘Karagaçi’, arenë e derbit të fundjavës
E gjithë vëmendja në fundjavë do të jetë në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Të dielën nga ora 18:00 zhvillohet derbi i madh i Superligës së hendbollistëve mes Besa Famgasit dhe Rahovecit.
Ndeshja i takon xhiros së 11-të të kampionatit të Kosovës. Javë më parë Rahoveci e mposhti Besën për një gol, duke ia shkaktuar humbjen e parë kampionale pas një kohe shumë të gjatë. Rahoveci është lider me 20 pikë, pasi i ka fituar 10 ndeshjet e deritashme.
Ndërkohë Besa është e dyta në tabelë, ndërsa ka vetëm atë humbje nga Rahoveci. Të dy skuadrat kanë shënuar fitore të thella të enjten dhe janë plotësisht gati për spektakël hendbolli. Rrjedha e ndeshjes së parë garanton lojë të fortë dhe shumë interesante deri në fund. Nën hijen e derbit në Pejë, në fundjavë janë edhe tri ndeshjet tjera të xhiros së 11-të. Po të dielën prej orës 18:00, Vushtrria takohet me Kastriotin. Të shtunën janë ndeshjet Vëllaznimi-Trepça (19:30) dhe Deçani-Prishtina (19:00).
Në Ligën e Parë (meshkujt) është java e tetë. Të shtunën janë tri ndeshje: Vjosa-Lepenci (18:30), Drita-Prizreni (18:30), Llapi-Ulpiana (19:00). Të dielen janë dy takime. Dukagjini e Istogu luajnë prej orës 13:00, ndërsa Drenica e Samadrexha prej orës 18:00.