“Karagaçi” arenë e finales së dytë, pritet tjetër ndeshje dramatike
Besa Famgas e Rahoveci përballen të mërkurën mbrëma në ndeshjen e dytë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Ndeshja zhvillohet nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Numri i shikuesve pritet të jetë i madh, njëjtë si përkrahja për ekipin pejan.
Ndeshja pritet të jetë cilësore dhe shumë e fortë, njëjtë si sfida e parë në Rahovec.
Rahoveci është një fitore larg titullit të kampionit, të parit në histori. “Vreshtarët” do të udhëtojnë me këtë synim – për të fituar dhe për ta ngritur lartë trofeun e kampionit.
Plane të tjera kanë në ekipin pejan. Besa Famgas është e përkushtuar për fitore dhe për të bërë që kampioni të caktohet në ndeshjen e tretë që sërish do të zhvillohej në Rahovec.
Ndeshjet e deritashme kanë dëshmuar që cilësia e skuadrave është e përafërt. Dhe detajet do ta vendosin fituesin.