Karantinimi të bëhet pa qasje selektive politike
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mban konferencë për media te Presidenca, ka folur, përpos për zhvillimet politike të tashme dhe të ardhshme, edhe për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga pandemia COVID-19. Presidenti e ka kritikuar qeverinë rreth procesit të karantinimit të qytetarëve në Qendrën e Studentëve dhe ka kërkuar që një proces i tillë mos të përzihet me politikë.
Thaçi ka falënderuar mjekët, infermierët dhe IKShPK-në për punën që kanë bërë për parandalimin e përhapjes së virusit. “Kosova deri më tani është përballur me sukses me pandeminë. Ritheksoj mirënjohjen për mjekët, infermierit, tërë IKShPK-në për punën e palodhshme”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka bërë thirrje që të respektohen të gjitha këshillat e IKShPK-së, kurse ka kërkuar që karantinimi i qytetarëve në Qendrën e Studentëve të bëhet në mënyrë profesionale dhe të mos merren vendime për karantinim bazuar në preferenca politike. “Karantinimi në Qendër të Studentëve të bëhet në mënyrë profesionale e të mos ketë qasje selektive politike, pra dikush të karantinohet e dikush jo”, ka thënë Thaçi.
(B. D.: ‘Epoka e re’)