Karaqi: Nuk e braktisa Kosovën, por Federatën e Karatesë

08 janar 2020 | 14:56

Akuzat e karateistit Alvin Karaqi në drejtim të udhëheqësve të Federatës së Karatesë së Kosovës kanë qenë të shumta. Ai ka thënë se nuk e ka braktisur Kosovën, por vetëm FKK-në dhe tash e tutje do të garojë për Shqipërinë.

Alvin Karaqi është në mesin e tre karateistëve që ditë më parë morën vendim të mos e përfaqësojë më Kosovën, por Shqipërinë. Akuzat nuk kanë munguar nga tre karateistë në drejtim të Federatës së Karatesë, por edhe drejtuesit e kësaj federate nuk kanë hezituar që t’i akuzojnë Alvin Kraqin, Orges Arifin dhe Blodin Pakashticën. Sikurse të mos mjaftonte e gjithë kjo, Karaqi të martën nëpërmjet një postimi të gjatë në profilin e vet në “Facebook” ka thënë se ai nuk e braktisi Kosovën, por vetëm Federatën e Karatesë së Kosovës. “Nuk e kam braktisur Kosovën, por Federatën e Karatesë së Kosovës dhe iu kam bashkangjitur Federatës Shqiptare të Karatesë, aty ku nuk përbuzem për shkaqe të kota”, ka thënë fillimisht Karaqi, i cili më pas i ka demantuar drejtuesit e FKK-së se ai ka marrë pjesë në të gjitha garat. “Nga cikli olimpik shtator 2018 e deri tani nuk jam dërguar në këto gara: PL Karate1 – Madrid 2019, PL Karate1 – Moscow 2019, Karate1 – Tokyo 2019*, Serie A Karate1 – Santiago 2019*, PL Karate1 – Shanghai 2019, PL Karate1 – Rabat 2019, Serie A Karate1 – Salzburg 2019*, Serie A Karate1 – Santiago 2018. Për hir të korrektësisë, nuk përmendet Seria A – Montreal 2019 (për shkak se ishte një javë para Lojërave Evropiane në Minsk)”, ka shtuar ai.

Karaqi më pas tregoi se selektori Isak Curri e largoi nga reprezentacioni i Kosovës pasi e kishte zgjedhur trajneren Shqipe Zogiani për trajnere në Lojërat Evropiane. Karateisti në fjalë vendosi për Zogianin, pasi trajneri i parë i zgjedhur Fehmi Mahalla nuk ishte i akredituar. “Më është premtuar mbrojtje nga KOK-u për këto padrejtësi, por asnjëherë nuk u realizua”, ka shtuar Karaqi.

Karateisti Karaqi më pas ka zbuluar se është ofenduar dhe nënvlerësuar në vazhdimësi nga udhëheqësit e FKK-së. Një tjetër arsye për mosmarrëveshjet e Alvin Karaqit me drejtuesit e federatës është edhe borxhi njëvjeçar për biletën Madrid – Prishtinë gjatë botërorit 2018. Kryetari aktual i Federatës, Ismet Krasniqi, e ka akuzuar Karaqin se në vitin 2016 ka paralajmëruar se nëse nuk zgjidhet kryetar Fadil Arifi, atëherë do të garojë për Shqipërinë. Lidhur me këtë akuzë, Karaqi deklaroi: “Me gjithë respektin dhe mbështetjen që kam për ju personalisht kryetar i nderuar, po i citoj fjalët që i kam thënë: ‘Mos na bëni me dalë për Shqipërinë’. Asnjëherë nuk e di që të kam akuzuar ty për diçka, por sigurisht që u dal në mbrojtje dështimeve morale dhe profesionale të ekipit tuaj”.

Karaqi, po ashtu, ka hedhur poshtë edhe akuzat se kanë qenë të papërgatitur në gara, duke thënë se si student i mjekësisë, edhe përkundër obligimeve të shumta, gjithmonë ka qenë në formë të mirë fizike.  Karaqi ka thënë se rezultatet nuk i kanë munguar, por largimin nga Kosova e bëri për shkak të mosrezultateve të drejtuesve të FKK-së. “Zotërinj, a e quani mungesë rezultati që pas lëndimit arrita të kualifikohem për herë të dytë në Lojërat Evropiane? Medalje në Top 8, medalist në kampionat të Francës, medalist në Premierë Ligë, medalist në botëror të universiteteve, garues që respektohet nga kampionë dhe garues që i mposhtë ata. Me të vërtetë më ka shtyrë mungesa e rezultateve, e atyre që nuk ma dhanë mundësinë as t’u afrohem”, ka deklaruar Karaqi, i cili ka treguar se gjithmonë kur ka arritur fitore e ka bërë me meritë të plotë dhe ato suksese i ka ndarë me të tjerët, derisa pas humbjeve e ka ulur kokën dhe i është përveshur punës. Në fund Karaqi e falënderoi Federatën Shqiptare të Karatesë që e ripranoi dhe ia hapi krahët sikurse në vitin 2013.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se…