Karateistët përgatiten në Bogë për “Tarragona 2018”
Kombëtarja e Kosovës në karate do të zhvillojë përgatitjet në Bogë të Pejës për Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”.
Ekspedita e karatesë do të vendoset në Hotel Magra prej 13-19 qershor, derisa shpenzimet e përgatitjeve i mbulon Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Herolind Nishevci, Alvin Karaqi, Orges Arifi, Fortesa Orana dhe Adelina Rama, janë pesë garuesit e karatesë që do të synojnë suksese në Tarragona 2018. Përzgjedhësi i kombëtares së karatesë, Isak Curri, beson në fitimin e medaljeve.
“Përgatitjet do të na ndihmojnë shumë. Të gjithë karateistët tanë kanë gjasa për medalje. Shumëçka varet edhe nga shorti, andaj uroj të kemi fat në short”, ka thënë Curri.
Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018 mbahen në Spanjë, prej 22 qershor – 1 korrik 2018.
Kosova merr pjesë për herë të parë në Lojërat Mesdhetare, derisa përfaqësohet nga 40 sportistë, 13 trajnerë dhe katër gjyqtarë. Nga karateja gjyqtar është Ardian Muhadri.