Karateistët synojnë medalje në Guadalajara të Spanjës
Përfaqësuesja e Kosovës do ta marr pjesë prej 28 deri më 31 mars në kampionatin e 54-të evropian për senior, i cili do të mbahet në qytetin e Guadalajaras së Spanjës.
Gjithsej 10 karateistë do të përfaqësojnë Kosovën në shtetin, i cili vazhdon të mos e njoh Kosovën, njëkohësisht duke iu nxjerr shpesh herë edhe probleme sportistëve.
Vlerona Shala (kata), Albulena Gërvalla (-55 kg), Fortesa Orana (+68 kg), Argjend Berjani (kata), Orges Arifi (-60 kg), Ylli Cenaj (-67 kg), Elhami Shabani (-75 kg), Alvin Karaqi (-84 kg), Herolind Nishevci (+84 kg), do të kërkojnë medalje, ndërsa në kumite Kosova përfaqësohet me Nishevcin, Arifin, Cenajn, Karaqin, Shabanin, si dhe Blodin Pakashticën.
Albulena Gërvalla vjen pas suksesit në evropianin U-21 të mbajtur muajin e kaluar në Aalborg të Danimarks, ku fitoi medaljen e bronztë, ndërsa Herolind Nishevci rikthehet në gara pas mungesës në Karate 1 Series A Salzburg 2019, ku vitin e kaluar kishte fituar medaljen e artë.
“Jemi përgatitur maksimalisht për pjesëmarrje në këto gara shumë të rëndësishme dhe shpresoj se në Kosovë do të kthehemi si fitues me medalje. Atje do të shkojmë me dhjetë garues, tri femra dhe shtatë meshkuj”, ka thënë Ismet Krasniqi, kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës.
Në evropianin e kaluar të mbajtur në Novi Sad të Serbisë, Kosovës iu mohua hyrja për në Serbi nga qeveria e këtij vendi. Evropiani i tashëm është rast i mirë për të fituar pikë Olimpike për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, si dhe për të fituar normën për Lojërat Evropiane “Minsk 2019”, të cilat mbahen prej 21-30 qershor 2019 në Minsk të Bjellorusisë.