Karaxhiq e quan të padrejtë dënimin ndaj tij
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq ka apeluar sot dënimin prej 40 vjetësh burgim, përpara një gjykate të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar rigjykim, pasi ka vlerësuar se gjykimi ndaj tij ka qenë “proces me të meta”, që ka “çuar në një rezultat të padrejtë”.
Gjatë adresimit të tij në seancën dëgjimore në Hagë, Karaxhiq u ka bërë thirrje gjykatësve që të hedhin poshtë dënimin e tij për krime të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë viteve 1992-95.
Karaxhiq, 72-vjeç, ka thënë para panelit prej pesë gjyqtarësh se forcat serbe kanë vepruar në vetëmbrojtje gjatë konfliktit, i cili ka lënë mbi 100 mijë të vdekur dhe 2.2 milionë persona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
“Ka aq shumë dëshmi që tregojnë se strategjia jonë nuk ka qenë sulmuese. Strategjia jonë ka qenë mbrojtëse në të gjithë Bosnjën”, ka thënë ai.
Karaxhiq dhe ekipi i tij ligjor kanë argumentuar se prokurorët dhe gjykatësit, gjatë gjykimit kanë kryer një sërë gabimesh ligjore dhe procedurale.
Në anën tjetër, prokurorët gjithashtu po apelojnë për dënimin e Karaxhiqit, duke kërkuar nga gjykatësit që ai të dënohet me burgim të përjetshëm.
Vendimi për këtë pritet të merret deri në fund të vitit.
Në mars të vitit 2016, Karaxhiq është dënuar me 40 vjet burg nën akuzat për gjenocid, krime lufte, krime kundër njerëzimit, përfshirë edhe masakrën në Srebrenicë.
Në masakrën në Srebrenicë rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë. Kjo ngjarje konsiderohet si masakra më e rëndë në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Karaxhiq është dënuar nga gjykatësit e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi, e cila është mbyllur në muajin dhjetor.