Kardiologë nga organizata “Gilft of Life Internacional” operojnë fëmijë në QKUK
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka takuar përfaqësuesit e organizatës humanitare “Gilft of Life Internacional”, të cilët janë duke i trajtuar disa fëmijë kosovarë me probleme shëndetësore në zemër, në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gjatë këtij misioni në Kosovë, profesionistë të njohur shëndetësor- kardiologë të fëmijëve nga “Gilft of Life Internacional”, do të kryejnë operacione të fëmijëve, të cilëve trajtimi u është mundësuar të realizohet në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK.
Me këtë rast, ministri Latifi, falënderoi ekipin mjekësor të organizatës humanitare “Gift of Life Internacional”, për kontributin e dhënë për shumë vite rresht, në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve me sëmundje në zemër në Kosovë, e të cilët kanë përfituar nga misioni i tyre.
Ministri Latifi tha se një bashkëpunim dhe mbështetje i këtij lloji me profesionistët e tillë shëndetësor ndërkombëtar, është shumë i rëndësishëm, sepse Kosova ka mungesë të infrastrukturës, që mundëson kryerjen e intervenimeve të fëmijët që kanë probleme në zemër.
Megjithatë, ministri Latifi, i njoftoi të pranishmit me projektin e tij, të 22 subspecializimeve, ku afër 100 mjekë së shpejti do të dërgohet në vende të ndryshme për t’u avancuar në ato drejtime mjekësore, për të cilat ka nevojë sistemi shëndetësor i Kosovës.
Për këtë projekt, ai kërkoi bashkëpunim dhe përkrahje nga stafi i organizatës humanitare “Gift of Life Internatiobal”, sidomos në fushën e kardiologjisë pediatrike.
Kurse, Rob Raylman, përfaqësues i organizatës “Gift of Life Internatiobal”, tha se është shumë i lumtur, pasi që misioni i tyre po shpëton shumë jetë të fëmijëve në Kosovë, dhe shprehu përkushtimin e tij dhe të stafit mjekësor, në shërbim të fëmijëve.