Karriera e bujshme e Maxhunit, nga hapat e parë në basketboll e deri tek trofetë
Një nga personat që ka dhënë kontribut të madh në basketbollin e Kosovës është Bekim Maxhuni. Ish-lojtari i shumë skuadrave në Kosovë, por edhe më gjerë, në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së ka treguar si filloi me basketboll, trofetë më të veçantë, ndeshjet e paharrueshme, kundërshtarin më të vështirë dhe mesazhi për lojtarët e rinj.
Maxhuni ka fituar trofe me Trepçën, Prishtinën e Dritën, kurse ka luajtur edhe me Alba Berlinin në Gjermani, derisa me sukses zhvilloi karrierën në Maqedoni për Shkëndijën e Tetovës dhe Gostivarin. Ai ka luajtur për Besianën, Yllin, Exclusivin dhe Kastriotin, si dhe ishte trajner për grupmosha të reja, kurse tani është përzgjedhës i Kosovës U20 (M). Bekim Maxhuni gjithashtu për shumë vite ishte shënuesi më i mirë në ligë për skuadrat ku ka luajtur, si te Shkëndija, Drita, Ylli, Exclusivin.
Si vendose të luaje basketboll?
Babai im ka qenë shtytës për mua të luaj basketboll edhe pse është trajner i mirënjohur i futbollit kosovar. Ai më sugjeroi të merrem me basketboll qysh në moshën 9-vjeçare.
Cili ka qenë idhulli yt në fëmijëri?
Në atë kohë idhulli im prej lojtarëve vendorë ka qenë Vllaznim Perani, kurse jashtë vendit mund të ceki Drazhen Petroviq, Toni Kukoc etj.
Cili ka qenë trofeu më i rëndësishëm për ty dhe pse?
Kam fituar tre tituj në kampionatin e Kosovës. Me Trepçën, Prishtinën dhe me Dritën e Gjilanit. Nuk është e lehtë të fitosh tre tituj me skuadra të ndryshme dhe trofetë kanë qenë të veçantë.
Cilën ndeshje nuk mund ta harrosh asnjëherë?
Ka shumë ndeshje, të cilat kanë pasur rëndësi të veçantë për mua. Por, e veçoj në Maqedoni, ku kam luajtur për Gostivarin në Superligën e Maqedonisë kundër MZT Skpoje, ku shënova 28 pikë, kurse në Kosovë me Exclusivin ndaj Pejës e Prishtinës, por vlen të përmendet edhe lojën sa isha në Berlin te Alba Berlin ndaj Përfaqësueses së Bosnjës.
Cili ka qenë kundërshtari më i vështirë që je ballafaquar?
Ka pasur jashtëzakonisht kundërshtarë të fortë, secili prej tyre ka pasur diçka të veçantë. Lojërat cilësore jashtë vendit kanë qenë më të vështira, kurse në Kosovë, me lojtarin Hashim Simmons, i cili ka luajtur për Trepçën. Një basketbollist i jashtëzakonshëm me performanca të një lojtari të Euroligës.
Sa të mungon basketbolli dhe atmosfera nga koha kur ke luajtur?
Basketbolli më mungon shumë, posaçërisht në mënyrën profesionale se, këtu ende nuk kemi mbërritur atë nivel të profesionalizmit. Këtu ka vetëm improvizim. Kurse atmosfera është ajo që e ka mbajtur basketbollin e Kosovës.
Cili është mesazhi për lojtarët e rinj që duan të merren me basketboll?
Punë, punë, vetëm punë, nëse dëshironi me arrit diçka në basketboll dhe jashtë tij.