Kartëmonedha e re 10 mijë lekë do të hidhet në treg në tremujorin e katërt
Kartëmonedha e re 10 mijë lekë, preja më e madhe parasë e nxjerrë në emetim deri më tani do të dalë në qarkullim në tremujorin e fundit të këtij viti.
Vitin e kaluar banka e Shqipërisë nisi prezantimin e serisë së të kartëmonedhave. Seria e re e ka 6 prerje, 200, 500, 1,000, 2,000, 5,000 dhe prerjen e re 10,000 Lekë.
Kartëmonedhat 200 lekë dhe 5,000 lekë u hodhën në qarkullim duke filluar nga data 30 shtator 2019, ndërsa këtë vit do të hidhen në qarkullim kartëmonedhat 10,000 lekë dhe 1,000 lekë duke filluar tremujori i fundit i vitit.
Kartëmonedha 2,000 lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga fundi i vitit 2021 dhe kartëmonedha 500 lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2022.
Kartëmonedha 10,000 lekë që del për herë të parë në treg ende nuk është prezantuar si imazh nga Banka e Shqipërisë, por sipas vendimit të Këshillit të Mbikëqyrjes, Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, “Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshirë e një qëllim”.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kartëmonedhat përmbajnë një sërë elementesh sigurie që i mbrojnë nga falsifikimi dhe ruajnë besueshmërinë e publikut tek paraja.
Përmirësimi i serive të kartëmonedhave me qëllim forcimin e elementeve të sigurisë dhe njëkohësisht përmirësimin e dizajnit është një praktikë e njohur në bankat qendrore, që përgjithësisht zbatohet çdo 15-20 vjet.
Të gjitha prerjet e serisë aktuale të kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, përveç asaj 2,000 lekë janë miratuar në vitin 1995 dhe janë hedhur në qarkullim në vitin 1996. Ndërkohë, në vitin 2008, serisë iu shtua kartëmonedha 2,000 lekë dhe në fund të vitit 2011 përfundoi kursi ligjor për kartëmonedhën 100 lekë.
Gjithashtu, në këto 20 vite kanë ndodhur ndryshime të vazhdueshme në teknologji, si për sa i përket elementeve të sigurisë që mund të dallohen nga publiku i gjerë pa përdorimin e makinerive të posaçme, ashtu edhe për sa i përket atyre që njihen nga makineritë e përpunimit dhe numërimit të kartëmonedhave.
Kartëmonedhat ekzistuese, të të gjitha prerjeve, do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja. Ato do të vijojnë të kenë kurs ligjor dhe të shërbejnë si mjet pagese.
Banka e Shqipërisë do të njoftojë publikun në kohën e duhur mbi datat kur secila nga prerjet ekzistuese prej 200, 500, 1,000, 2,000 dhe 5,000 lekësh nuk do të ketë më kurs ligjor. Gjithsesi, edhe pas humbjes së kursit ligjor, kartëmonedhat ekzistuese do të ruajnë vlerën e tyre dhe do të mund të shkëmbehen me të rejat për të njëjtën vlerë. /Monitor.al