KARTOLINË NGA KARANTINA
Isuf Sherifi
Eja mik,
si kurrë më parë kam pastruar rrotën e hekurt
që hap derën e hyrjes në ndërtesën ku banoj
pastaj edhe dorezën e derës,
pragjet, dyert, duart,
eja,
si kurrë më parë kam pastruar dritaret,
ballkonin, lulet, fotografitë në mur,
parketin, tepihët, karriget, fotelet, librat, kuzhinën, wc-në, banjon,
vitrinat, televizorin, telekomanadat, llambat…
gjithçka që mund të jetë shtrat i vrastarit covid,
eja,
si kurrë më parë kam mbushur kuzhinën me gjësende ushqimore
edhe podrumin e kam bë zap,
nuk i dihet se sa do të na mbajë ngujuar ky armik,
kam edhe ujë edhe verë me bollëk
për të larë duart dhe trurin për të shpërlarë.
Eja mik, eja,
do të të pres me duar të veshura me dorëza të bardha
do më gjeshë në këmbë, flej ulur
katër vetë jemi në 100m katrorë dhe dëgjohemi shpesh
flasim me zë të lartë sepse maskat na i mbysin tingujt
dhe ngase e respektojmë distancën sociale prej dy metrash.
Lajmet e tri gjuhëve i lexojmë, dëgjomë, e i komentojmë; shqip, gjermanisht, anglisht
dhe japim përfundime se kjo luftë me këtë virus do zgjasë edhe më shumë
për aq sa ne do ta nënvlerësojmë vogëlsinë e tij,
për aq sa ne do të nënçmojmë këshillat që të trusim në shtëpi,
dhe për qa sa ne do ta mbiçmojmë madhësinë tonë.
Eja mik, gjithçka e kam dezinfektuar me kujdesin më të madh
as një mizë nuk fluturon në perandorinë time prej 100 metrash katrorë
dhe mos më thuaj që nuk të thirra; eja, po munde,
kur udhët shëndetësore, sociale, ekonomike, politike…
na i ka bërë lëmsh covid-i i 19të
dhe jetët e frymët na i thith sikur pika të nxehta tambli.
—-
Ps. Zvicër, 23.03.2020, në ditën e tretë të karantinës.