Karton i kuq i përkohshëm, gati rregulli i ri në futboll
Pas VAR-it, bota e futbollit bëhet gati për një tjetër risi, që me gjasë do të marrë dritën jeshile për t’u eksperimentuar në muajin mars, në mbledhjen e IFAB.
Bëhet fjalë për përjashtimin e përkohshëm të futbollistëve, një rregull i ri që pritet të testohet në FA Cup duke nisur që nga sezoni i ardhshëm.
Përjashtimi i përkohshëm parashikon lënien jashtë të një futbollisti për një kohë maksimale prej 10 minutash, megjithatë mbetet ende të përcaktohet kohëzgjatja. Në kategorinë e faulleve që pritet të ndëshkohen me përjashtim të përkohshëm janë faulle taktikë, por edhe protesta të ashpra të futbollistëve ndaj vendimeve të gjyqtarëve.
Bashkë me këtë risi, pritet të diskutohet edhe një ide tjetër, ajo e komunikimit me gjyqtarin vetëm nga ana e kapitenëve të skuadrave, ashtu si në ragby.