Kasami: Do të bashkëpunojmë me të gjithë për ta çuar BDI-në në opozitë
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në intervistë për “Alsat” ka thënë se në asnjë moment partia e tij nuk do të bëjë koalicion me BDI-në.
Sipas tij, tani është koha që kjo parti të kalojë në opozitë, të reformohet me struktura të reja dhe të kthehen në skenën politike.
“Së paku katër vite BDI-ja duhet të jetë në opozitë. Ne si Lëvizje Besa duam ta mobilizojmë të gjithë spektrin opozitar, jo vetëm atë partiak, që tek shqiptarët e Maqedonisë të ketë ndryshime për të mirë”, ka deklaruar Kasami.
Në pyetjen nëse do të bashkëpunonte me Alternativën dhe a ka diçka të re për koalicionin, Kasami ka pohuar se spektri opozitar është me dy partia, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët.
“Spektri opozitar janë dy parti, Lëvizja Besa dhe ASH. Ne e thamë qëndrimin tonë dhe jemi të sigurt se këto dy parti opozitar kanë kapacitet dhe potencial të jenë fitues në zgjedhjet e ardhshme. Ka edhe forca tjera opozitare, intelektualë, diaspora, profesorë dhe ekspertë tjera të cilët janë të mirëseardhur t’i bashkohen opozitës. Deri sa të vijë momenti, ne si faktor opozitar jemi të gatshëm të shtrijmë dorën e bashkëpunimit me secilin, vetëm që BDI të kalojë në opozitë”, ka thënë Kasami.