Kasanof: Beogradi do të jetë ndalesa ime e parë në Ballkanin Perëndimor, duam progres në dialogun Kosovë – Serbi

19 shtator 2024 | 12:03

Zëvendësndihmësi i sekretarit Amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) duan të thellojnë bashkëpunimin me Serbinë, duke shtuar se projekti i litiumit është shumë i dobishëm dhe se Uashingtoni dëshiron të shohë përparim në dialogun mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Kasanof, i cili ka marrë këtë pozitë në mesin e korrikut duke zëvendësuar Gabirel Escobar, ka bërë këto deklarata gjatë një paneli në Uashington.

“Qytetarët e Serbisë janë skeptikë për shkak të qasjes së mëparshme të ShBA-së. Ne duam ta thellojmë bashkëpunimin me Serbinë, në Ballkanin Perëndimorë dhe zonën euro-atlantike. Në Ballkanin Perëndimor ka aleanca që ShBA i mbështet, dhe Serbia i udhëheq ato iniciativa. Projekti i litiumit mund të jetë shumë domethënës sa i përket investimeve të reja, do ta ndihmojë Serbinë, por edhe shtetet e tjera, sepse do të lidhë ekonomitë në rajon”, ka thënë ai sipas “Zërit të Amerikës”.

Duke folur për sfidat në periudhën në vazhdim, Kasanof ka përmendur këtu dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne duam të shohim progres atje. ShBA-ja dëshiron të bashkëpunojë me Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë që të shoh progresin që do të kontribuojë edhe në rajon. Ka dy lloj perspektivash në lidhjen e ShBA-së me Ballkanin. Njëra është e bazuar në narrativë dhe tjetra në fakte. Ekziston një narrativë në mesin e organizatave joqeveritare se Serbia është antiperëndimore dhe një pasardhës rus, dhe nga ana tjetër, ekziston një narrativë se Serbia e ka tradhtuar Rusinë”, është cituar të ketë thënë zyrtari amerikan tutje.

Mes tjerash, Kasanof ka deklaruar se është e rëndësishme që Serbia, në bashkëpunim me BE-në dhe ShBA-në, kujdeset që “mos të ketë kthim në nacionalizëm”.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj skenarëve të tillë. Kjo mund ta kërcënojë potencialin e bashkëpunimit. Partneriteti me Serbinë dhe dialogu i sinqertë mund të kontribuojë në tejkalimin e këtyre sfidave dhe realizimin e vizionit të bashkëpunimit euro-atlantik”, ka paralajmëruar ai.

Po ashtu, raportohet se emisari amerikan gjatë kësaj paraqitje, ka paralajmëruar se Beogradi do të jetë ndalesa e tij e parë gjatë vizitës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Beogradi do të jetë ndalesa e parë në rajon. Do të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit dhe partneritetit të ngushtë. Do të flasim për zhvillimin e marrëdhënieve tona, dhe se sa larg do të donim që të shkonte partneriteti. Nga temat ekonomike, te ato politike. Kemi publikuar rekomandime për realizimin e partneritetit strategjik mes ShBA-së dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Në fillim të këtij muaji, Kasanofi ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja e dashur shqiptare, Teuta Krasniqi, vazhdon të tërheqë vëmendje…