Kasanof: S’pres që politika e ShBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor të ndryshojë gjatë mandatit të Trumpit
Uashingtoni ka udhëhequr një politikë të vazhdueshme ndaj Ballkanit Perëndimor për tre dekadat e fundit dhe pres që të mbetet e tillë, ka theksuar zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit për Ballkanin Perëndimor, Aleksandar Kasanoff, dy javë pasi Donald Trump ka fituar zgjedhjet presidenciale në ShBA.
“Dëshiroj të theksoj se ka një vazhdimësi të fortë në politikën tonë ndaj Ballkanit në 30 vitet e fundit. Pres që kjo vazhdimësi, rreth synimeve themelore që kemi për këtë rajon, të vazhdojë”, ka thënë Kasanoff në një intervistë për agjencinë e lajmeve HINA.
Nëse do të qëndrojë atje pas 20 janarit, kur të vijë në pushtet qeveria e Donald Trump, Kasanof nuk ka dashur të spekulojë, por ka theksuar se do të vazhdojë të punojë deri në ditën e fundit që rajoni të përparojë në të gjitha aspektet dhe në për t’i lënë pasardhësit e tij të mundshëm situatën sa më të mirë.
Ai ka thënë se ShBA-ja është e shqetësuar për ndikimin e Rusisë në të gjithë rajonin dhe për këtë arsye po punon me vendet e Ballkanit Perëndimor për të parandaluar dezinformimin.
Zyrtari amerikan ka theksuar se Uashingtoni aktualisht sheh një “mundësi reale” të përparimit të rëndësishëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit euroatlantik.