“Kasapi i Buças”, urdhëruesi dhe ekzekutuesi i masakrës që tronditi botën
Masakra në Buça të Ukrainës që tronditi mbarë opinionin ndërkombëtar duket se e ka personin përgjegjës në anën e ushtrisë ruse, që urdhëroi trupat të qëllojnë mbi civilët e pafajshëm, raporton A2CNN.
Tashmë me nofkën “Kasapi i Buças”, nënkoloneli Azatbek Omurbekov është komandant i Brigadës së 64-të të përfshirë në pushtimin e Buças, një qytet në periferi të kryeqytetit ukrainas Kiev, i cili u mbajt i pushtuar nga ushtria ruse deri javën e kaluar.
Kremlini i ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme akuzat dhe pretendon se imazhet e civilëve të vrarë në rrugë dhe me duar të lidhura ishin një falsifikim i inskenuar nga vetë ukrainasit.
Sipas “InformNapalm”, një iniciativë vullnetare ukrainase që monitoron aktivitetet e ushtrisë ruse dhe shërbimeve speciale, Omurbekov u bekua nga një prift ortodoks në nëntor të vitit të kaluar përpara se të vendosej në Ukrainë.
Sipas ligjit ndërkombëtar, një komandant ushtarak është përgjegjës për çdo krim lufte të kryer nga trupat e tij./A2CNN