
Kastrati akuzon Krasniqin për bllokim të votës në strukturat e PDK-së
Ish-deputeti, Ardian Kastrati ka akuzuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi për bllokim të votës nëpër të gjitha strukturat e PDK-së.
Sipas tij arsyeja është sepse e ka kundërshtuar Krasniqin për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Miq, arsyeja pse nuk jam i votuar në këto zgjedhje është sepse i kam prishur matematikat për koalicion Memli Krasniqit me Albin Kurtin dhe rrjedhimisht bandat e Memlit më kanë bllokuar votën… Si pasojë, të gjithë ushtarët e vasalët e Memlit janë mobilizuar për të ma bllokuar votën nëpër të gjitha strukturat e PDK-së, duke i ndikuar dhe duke i devijuar votat e zemrës së PDK-së… dhe jo vetëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai tutje ka thënë se e ka arritur qëllimin e tij, pasi siç është shprehur ai, Krasniqi nuk guxon të bëjë koalicion me Kurtin. Kastrati po ashtu ka thënë se Memli Krasniqi është kryetari më dobët që PDK do ta ketë në 200 vitet e ardhshme.
“Dallimi im me Memlin është se unë dhe familja ime kemi kontratë ideologjike me PDK-në këtu e 30 vite, ndërsa Memli e dostat e tij të Bon Vivant-it kanë vetëm kontratë afariste me PDK-në. Me Bedri Hamzën dolëm 22%. Pa Bedrinë, e vetëm me Memlim, do të dilnim 13%. Memli Krasniqi është kryetari më i dobët që PDK mund ta ketë në 2000 vitet e ardhshme… se për të kaluarën as që bëhet fjalë”, ka shtuar Kastrati.