Kastrati: Do ta japim maksimumin për Kosovën
Basketbollistët e Kosovës po i vazhdojnë përgatitjet sipas planit për të qenë të gatshëm para ndeshjeve me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe.
Stërvitjet po vazhdojnë dy herë në ditë sipas planit, derisa gjatë kësaj fundjave do të zhvillojnë edhe dy ndeshje miqësore me Sllovakinë. Basketbollisti i Kosovës, Erjon Kastrati, ka folur për përgatitjet e deritanishme.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë deri më tani. Ne po japim maksimumin në stërvitje dhe do ta japim maksimumin edhe në ndeshje. Besoj se para ndeshjeve të muajit gusht do të përgatitemi 100 % dhe do të jemi të gatshëm për takimet ndaj Luksemburgut dhe Britaninë e Madhe. Do të kemi edhe dy ndeshje miqësore që do të na ndihmojnë shumë”, ka thënë Kastrati për faqen zyrtare të FBK-së.
Ai foli edhe për përballjet kundër Luksemburgut dhe Britanisë së Madhe.
“Ne jemi duke u stërvitur maksimalisht që të jemi të gatshëm për këto ndeshje. Kam stërvitur gjatë gjithë verës dhe besoj se do të jem i gatshëm. Do të fillojmë t’i analizojmë kundërshtarët me video për ta parë fuqinë e tyre. Gjithsesi, ne do të japim më të mirën tonë. Shpresoj se do ta kemi ndihmën e publikut ashtu si deri më tani. Tifozët në Mitrovicë janë të njohur për atmosferën e jashtëzakonshme që e krijojnë dhe shpresoj se do të na përkrahin maksimalisht”, përfundoi Erjon Kastrati. “Dardanët” më 3 gusht janë mysafirë të Luksemburgut, më pas e presin Britaninë e Madhe më 7 gusht dhe Luksemburgun më 14 gusht, kurse ndeshja e fundit është kundër Britanisë në udhëtim më 17 gusht.