Kastrati e quan të “kobshëm” Kurtin: Nuk bëj politikë me arkivole qysh ka bërë VV-ja
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka kritikuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për shkak të vdekjes së një vajze 4-vjeçare nga Gjakova në QKUK. Ai e ka cilësuar kryeministrin Albin Kurti si “njeri i kobshëm” dhe ka thënë se vdekjet e tilla janë pasojë e keqmenaxhimit të sektorit të shëndetësisë.
“Unë nuk dua të bëj politikë me arkivole, qysh kanë bërë këta të Vetëvendosjes duke ia nisë prej Deharit e të tjerëve”.
Kështu deklaroi deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, gjersa – në fillim të “Debat Plus”-it – komentoi vdekjen e 4-vjeçares nga Gjakova në QKUK.
Duke e cilësuar kryeministrin, Albin Kurti, si “njeri të kobshëm”, Kastrati ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
“E kam thënë që Albin Kurti është njeri i kobshëm, sepse në çdo kauzë të tij njerëzit janë vrarë rrugëve. Ky neve na ka njoftu me gjakun nëpër rrugë, nëpër sheshe. Këto vdekja i marrin me sportivitet, dorëheqje gjithqysh ky ministër Vitia, aty s’kam kurrfarë dyshimi… por, kjo është në vazhdën e kolapsit që i ka shaktu ky ministër këtij sektori. Është një nga pasojat e keqmenaxhimit katastrofal, sidomos në QKUK… keqardhje shumë për familjen, sepse të gjithë jemi prindër”, ka thënë Kastrati.
Rreth vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova, nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) kanë dhënë informacione shtesë.
Përmes një njoftimi, QKUK-ja ka treguar se 4-vjeçarja ka vdekur si pasojë e një infeksioni akut të rëndë të shkallës së lartë.
“Pacientja sjellet nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaft të rënduar shëndetësore. Në Qendrën Emergjente të QKUK-së kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse. Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë)”, thuhet në njoftim.