Kastrati e Shahini flasin për mundësinë e shkëmbimit të teksteve Kosovë-Shqipëri
Kryetari i Komunës së Dardanës, Qëndron Kastrati, ka pritur në takim zëvendësministren e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini.
Kastrati bashkë me zëvendësministren Shahini kanë vizituar Gjimnazin “Ismail Qemali” në Dardanë dhe bashkë me stafin dhe nxënësit kanë shkëmbyer përvojat në aspektin e arsimit.
Gjatë takimit është diskutuar për kurrikulën shkollore dhe mundësitë e shkëmbimit të teksteve mes Kosovës e Shqipërisë.
Sipas kryetarit Kastrati, shkëmbimi i teksteve shkollore në mes të dy shteteve do t’i ndihmonte arsimit jashtëzakonisht shumë. “Gjithashtu, diskutuam për binjakëzimin e shkollave me mundësi që nxënësit të kryejnë një pjesë të shkollimit të mesëm në Shqipëri e Kosovë”, ka thënë Kastrati.
Ai ka thënë se takimet e këtij niveli do t’i bëjnë më të shpeshta, në mënyrë që të rritet bashkëpunimi në të gjitha fushat në mes të Kosovës e Republikës së Shqipërisë.
/Epoka e re/