Kastrati krenar që e përfaqëson Kosovën, ëndërron Realin
Lirim Kastrati ndihet krenar që e Kosovën dhe ndjenjat që i përjeton thotë se janë të papërshkrueshme. Futbollisti ka folur për përvojën në Kroaci me Lokomotivën, ndërsa nuk e fsheh ëndrrën e tij që të luajë në Real Madrid.
Në verën e vitit 2017, 18-vjeçari i asaj kohe, Lirim Kastrati, kishte arritur në Lokomotiv të Zagrebit. Atë nuk e njihnin shumë në Kroaci, por me kalimin e kohës ai e shfaqi talentin dhe vlerën e tij për ta marrë më seriozisht. Mirëpo, ai kishte shpërthyer përfundimisht në mars të vitit 2018 duke shkëlqyer ndaj dy klubeve të mëdha kroate brenda tri ditësh. Më 7 mars i kishte mposhtur i vetëm juniorët e Hajdukut me një gol dhe asistim në Kupë, ndërsa tri ditë më parë e kishte shkatërruar Dinamon. Në fitoren historike të Lokomotivës ndaj Dinamos me rezultat 4-1, Kastrati kishte shënuar dy gola dhe e kishte nxjerrë një penallti. “E kam filluar karrierën në Hogosht, ku kam luajtur për KF Kika. Pas disa vjetësh, kur shkova në shkollë të mesme, vazhdova tek Tirana dhe më pas luajta për Shkëndijën”, ka thënë Kastrati për mediet kroate. “Më pas, trajneri aktual, Reji Jelici më mori në prova në NK Lokomotiv. Ai më kishte ndjekur në disa ndeshje tek ekipet e të rinjve në Kosovë, ku kisha zhvilluara ndeshje të mira, prandaj edhe më ftoi në test në Zagreb”, kujton Kastrati.
Duke shkuar në Lokomotiv ai e bëri një hap të madh në karrierë pasi ky klub ishte zgjedhja e duhur. “E vërteta është se në Lokomotiv jam mjaft mirë. Kemi kushte fenomenale, bordi dhe të gjithë në klub na bëjnë të ndihemi mirë”, ka shtuar ai.
Kastrati është, po ashtu, i lumtur me jetën në Zagreb. “Jeta këtu është fenomenale. Zagrebin e konsideroj shtëpinë time të dytë, më pëlqejnë njerëzit dhe kultura e këtushme. Ushqimi është fenomenal dhe Kroacia ka det të bukur. Më pëlqen Zagrebi, më pëlqen krejt Kroacia. Nuk më mungon asgjë”, shprehet Kastrati.
Edhe pse është pjesë e Kosovës, ai thotë se, po të mos e bënte këtë zgjedhje, do të luante pa problem për Kroacinë. “Kush nuk do të donte të luajë për njërin prej ekipeve më të mira në botë. Natyrisht, do të doja të isha pjesë e ‘Vatrenit’, por tash është e pamundur kjo pasi i kam zhvilluar disa ndeshje me Kosovën”, nënvizoi sulmuesi kosovar. Ai, megjithatë, ndihet mjaft i lumtur që e përfaqëson vendin e tij, shkruan “100posto.hr”. “Duke luajtur për vendin tim është diçka speciale. Nuk mund ta përshkruaj atë ndjenjë. Jam krenar që jam pjesë e ekipit A të Kosovës. Kemi një skuadër mjaft të re, por të mbushur me lojtarë të mëdhenj. Mendoj se ne mund të shkojmë shumë larg, jemi të fortë”, shprehet tutje Kastrati.
Në nivelin e ekipeve, në cilën skuadër do të donte të luante, Kastrati përgjigjet: “Nëse do të mund të zgjidhja, do ta zgjidhja Real Madridin. Në këtë klub Cristiano Ronaldo ishte idoli im, pasi ishte një punëtor i madh, më fascinonte dhe ai është një prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit”. Atij nuk i ka rënë asnjëherë të përballet me Ronaldon, por është përballur me yje të tjerë. “Sa iu përket klubeve, më së vështiri e kam pasur kundër Dinamos. Por, lojtari më i mirë me të cilin kam luajtur kundër ishte Christian Erikseni i Tottenhamit”, tregon përfaqësuesi kosovar. Në fund, ai ka folur edhe për gjuhën kroate, të cilën po mundohet ta mësojë. “Sinqerisht, është një gjuhë e vështirë, por miqtë e mi po më ndihmojnë ta përvetësoj atë”, përfundoi ylli i Lokomotivës.