Kastrati: Na duhen fitoret për kualifikim

12 shkurt 2021 | 20:06

Ashtu sikurse kapiteni Dardan Berisha, edhe basketbollisti Erjon Kastrati beson se Kosova mund të kualifikohet tutje.

Basketbollistët e Përfaqësueses së Kosovës në basketboll janë duke u përgatitur për dy ndeshjet e rëndësishme ndaj Luksemburgut (18 shkurt) dhe Sllovakisë (20 shkurt). Basketbollisti Erjon Kastrati të premten ka thënë se “dardanët” janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve, prandaj janë të motivuar që të dalin me rezultat pozitiv. Sipas tij, mungesa e madhe për këto dy ndeshje do të jetë mosprania e shikuesve për shkak të pandemisë Covid-19, por ai beson se “dardanët” do të dalin të suksesshëm.

“Të gjithë e dimë se si është situata. Në nëntor kemi humbur dy ndeshjet dhe në shkurt duhet t’i fitojmë ndeshjet dhe të kualifikohemi më tutje. Të gjithë e dimë rëndësinë e ndeshjeve. Do ta japim maksimumin për t’u kualifikuar më tutje. Shikuesit do të na mungojnë shumë, sepse janë lojtari i gjashtë, por e kemi përparësinë që luajmë në Prishtinë, edhe pse pa tifozë. Besoj se do të kalojmë mirë”, ka thënë Kastrati.

Kosovës i duhen dy fitore që të kualifikohet në rrethin e ardhshëm, kurse bordi i FIBA Evropës ka vendosur që të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B të zhvillohen në Prishtinë. Për dy ndeshjet e këtij muaji të enjten ka folur edhe kapiteni Dardan Berisha, i cili beson se Kosova mund të kualifikohet tutje.

“Unë kam munguar në ndeshjet e nëntorit, por prapë kemi disa mungesa. Entuziazmi është i madh, pasi po luajmë në vendin tonë. Shpresoj të përgatitemi sa më mirë. Kemi cilësi dhe nëse nuk kemi lëndime, kemi gjasa për t’u kualifikuar tutje”, ka deklaruar Berisha.

ORARI

Më 18 shkurt takohen:
16:00 Sllovakia-Islanda
19:00 Kosova-Luksemburgu

Më 20 shkurt takohen:
16:00 Luksemburgu-Islanda
19:00 Kosova-Sllovakia

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në…