Kastrati: Reforma në arsim do të fillojë të implementohet më 2 shtator

28 gusht 2019 | 17:52

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë me dije se fillimi i vitit të ri shkollor 2019/2020 në këtë komunë do të përcillet me procesin e riorganizimit të shkollave.

“Pas hulumtimit të gjendjes në terren për më shumë se një vit; konsultimit me dhjetëra profesionistë të fushës në Kosovë, Shqipëri, e më gjerë; dhe sidomos për shkak të fëmijëve të cilët janë fokusi ynë kryesor, ne jemi të bindur që riorganizimi i shkollave është i domosdoshëm”, ka shkruar Kastrati në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se riorganizimi vjen si rezultat i ndryshimeve demografike që tashmë kanë ndodhur. Sipas Kastratit, Kamenica sot ka 40% më pak nxënës sesa në vitin 2011.

“Në më shumë se gjysmën e shkollave në Kamenicë, klasa e parë i ka më pak se 5 nxënës. 19 nxënës e kanë vetëm një shok klase dhe 25 të tjerë nuk e kanë ASNJË shok klase. Unë si Kryetar Komune nuk mund të mos veproj për ta ndryshuar këtë situatë. E kam obligim moral, por edhe ligjor të mendoj për të mirën e brezave të ardhshëm, pavarësisht pasojave në popullaritetin tim, apo të tjera”, është shprehur Kastrati.

Ai ka treguar se reforma në arsim do të realizohet gjatë këtij mandati qeverisës dhe implementimi do të ndodhë i ndarë në faza.

“Këtë shtator do të fillojmë me shkollat ‘Fan S. Noli’, ‘Dëshmorët e Kombit’, ‘Hasan Prishtina’, ‘7 shtatori’, ‘Idriz Seferi’ dhe ‘Nuhi Berisha’. Këto shkolla janë mostër reprezentative duke përfshirë një fshat me numër të madh të nxënësve si Busavata, fshatra me numër të mesëm të nxënësve, si Krileva dhe Strezoci, si dhe Tugjeci si fshat me numër më të vogël të nxënësve”, ka thënë ai, duke shtuar se transporti i nxënësve do të fillojë menjëherë dhe për detajet e tjera do të informohen grupet e përfshira në vazhdimësi.

“Reforma do të realizohet e plotë, jo sepse e kam iniciuar apo është interes imi personal, përkundrazi. Reformën e kërkon situata, dhe është e domosdoshme për nxënësin e Kamenicës. Kjo ka qenë pika e përbashkët me qytetarët dhe unë e respektoj këtë”, është shprehur Kastrati.

Ai ka thënë se ka qenë e pritur keqpërdorimi i kësaj çështjeje nga partitë politike të cilat në takime private e kanë mbështetur dhe lavdëruar reformën.

“Si politikan, e kuptoj tendencën për votëzim të çdo shanse, mirëpo filozofia e mirëfilltë e politikëbërjes kërkon që raste të caktuara të cilat e ndikojnë drejtpërdrejt qytetarin të mos kalkulohen politikisht. Keqpërdorimi i nevojave dhe situatës së mësimdhënësve të cilët që nga paslufta janë trajtuar vetëm si klientelë është tejet brengosës”, ka theksuar Kastrati.

Ai ka treguar se me gjithë insistimin e tyre për dialog, duke prezantuar para tyre një platformë të rëndësishme për të ardhmen e mësimdhënësve si kolektiv, ShASHK ishte totalisht irracional.

“Kjo organizatë nuk mund të shohë përtej grevës si qëllim, mjet, ide, arsye, e pasojë. E ne mendojmë që arsimi në përgjithësi, por edhe nevojat e mësimdhënësve në veçanti janë të shumta, mjetet e dialogut po ashtu janë të ndryshme, dhe racionaliteti është mënyra e vetme për të arrit qëllimin e përbashkët për kualitet më të lartë në arsim. Unë e kuptoj rëndësinë e përfaqësimit të qytetarëve dhe gjithëpërfshirës. Për këtë arsye kam kërkuar referendum. Për këtë arsye kam shkuar në çdo lokalitet për ta prezantuar idenë. Pavarësisht situatës së krijuar dhe nxitur nga partitë politike. I kemi dëgjuar qytetarët dhe sot po e bëjmë ashtu siç ka kërkuar shumica dërrmuese”, ka deklaruar Kastrati.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë vendosur sanksione në…