Kastrati: Vizita e shefit të CIA-s në rajon synon të ndalë përpjekjet e Rusisë për një konflikt të mundshëm
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se vizita në rajon e shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka treguar se Shtetet e Bashkuara kanë informacione të mjaftueshme për përpjekjet e Rusisë përmes aleatit të saj, Serbisë që Ballkani Perëndimor të jetë në rrezik për një konflikt të mundshëm.
Ai pret që Burns të japë rekomandime të “fuqishme” edhe për institucionet e Kosovës lidhur me pjesën veriore, që të mos ndërmarrin veprime pa u koordinuar me NATO-n, ShBA-në dhe Bashkimin Evropian, në mënyrë që të mos krijohet një situatë e pamenaxhueshme.
Kastrati ka theksuar se mesazhet kryesore Burnsi do t’i përcjellë në Beograd, pasi, sipas tij, aty gjendet qendra e lëvizjeve radikale drejt Bosnjës dhe Kosovës.
Me tutje, Kastrati ka thënë se pret që politika në Bosnje e Hercegovinë të bllokojë dhe të eliminojë ndikimin e liderit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. “Vizita e shefit të CIA-s në këtë hapësirë lë të kuptohet se ata kanë informacione të bollshme për përpjekjet e Rusisë nëpërmjet satelitit të saj – Serbisë se kjo pjesë e Evropës është një rrezik për një konflikt të mundshëm dhe sigurisht për ata arsye ka ardhur këtu për të dhënë rekomandimet e veta”, ka thënë Kastrati.