Kastrati: ZRrE-ja po tenton të fsheh vendimin, rritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë marramendëse
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Qëndron Kastrati, ka akuzuar Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) se është duke tentuar të fsheh rritjet e çmimit të energjisë elektrike, duke mos publikuar vendimin në lidhje me rritjen e çmimeve.
Kastrati ka thënë se nuk ka transparencë në këtë proces dhe se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë marramendëse.
“Sipas neve arsyeja se pse s’po publikohet është se rritja është marramendëse. Kur të publikohet vendimi aty kuptohet, dikush mundet me e bo edhe kalkulatorin dhe Arsimi aty mundet me e pa se sa ka shpenzuar në kohën e dimrit dhe sa e ka paguar sipas çmimeve të vjetra dhe sa ka me paguar sipas çmimeve të reja. Ky është qëllimi me e fsheh një të vërtetë, një fakt që ata e kanë vendos tu e mbrojt një kompani private e tu i dëmtuar qytetarët. E në veçanti ato shtresa që nuk i kanë kushtet dhe mundësit financiare me gjetur mënyra alternative qoftë ma efecientë qoftë që nuk e përdorin energjinë elektrike, në veçanti për ngrohje”, ka deklaruar ai në “T7”.
Kastrati është shprehur se po synohet që të mbrohet kompania private, e të dëmtohen qytetarët.
Sipas tij, po synohet që vendimi të publikohet kur situata do të jetë më e qetë, e qytetarët nuk do të reagojnë.
Kastrati ka ftuar partitë opozitare dhe qytetarët që të reagojnë tani për rritjen e çmimeve.