Kastrioti feston në palestrën ‘Bill Clinton’
Ndeshje shumë interesante dhe dramatike është zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Në praninë e një numri të madh shikuesish, në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në hendboll, janë takuar Kastrioti dhe Prishtina.
Ndeshja ishte shumë e fortë, ndërsa është vendosur në aksionet e fundit. Fitore me rezultatin 33:31 shënoi skuadra ferizajase.
Festim Mustafa udhëhoqi Kastriotin me 14 gola, ndërsa me pritje të shumta është shquar Dardan Dugolli. Beni Sula i shënoi 8 gola. Te Prishtina, Albi Gjuka i kishte dhjetë gola, ndërsa nga pesë i shënuan Agon Bajqinovci e Ylli Visoka. Portieri i Prishtinës, Mike Rahbek po ashtu kishte pritje të shumta.
Vendasit e nisën më mirë ndeshjen dhe u shkëputën deri në katër gola në pjesën e parë. Por prishtinasit nuk u dorëzuan dhe u mbajtën vazhdimisht në lojë. Në pjesën e dytë u zhvillua lojë e fortë e interesante. Sërish Kastrioti ishte kryesisht para, ndërsa Prishtina ka barazuar dhe ishte në lojë deri në fund.
Vendasit megjithatë e mbyllën më mirë ndeshjen dhe fituan dy pikë të reja.
Kastrioti tani i ka 10 pikë në vendin e katërt. Prishtina është e pesta me tetë pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur.
Po të shtunën, Besa Famgas fitoi në udhëtim ndaj Deçanit me rezultat 39:28. Besa shënoi fitoren e pestë nga gjashtë ndeshje. Deçani pësoi humbjen e gjashtë, ndërsa i ka edhe dy fitore.