Kastrioti fiton Kupën për herë të shtatë
Kastrioti është fitues i Kupës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Skuadra me traditë ka fituar kupën për herë të shtatë dhe për herë të parë që nga viti 2019.
Në finalen shumë të fortë, të dielën mbrëma në Pejë, Kastrioti e mposhti Besa Famgasin me rezultat 34:32.
Skuadra ferizajase ka qenë në epërsi që nga fillimi e deri në fund. Besa nuk ka ndalur përpjekjet për t’u kthyer në lojë. Ia doli të barazojë në disa raste, por jo edhe të kalojë në avantazh. Kastrioti, falë mbrojtjes së fortë dhe lojës efikase të Deniz Terziqit në sulm e mbylli ndeshjen me festë të madhe.
Terziqi i shënoi plot 16 gola. Kapiteni Rron Ramadani i shënoi shtatë gola, pos që dha kontribut të madh në mbrojtje. Ai u shpall më i miri i ndeshjes te Kastrioti.
Beni Sula i shtoi gjashtë, ndërsa u dallua sidomos portieri Liridon Esati me shumë e shumë pritje.
Te Besa Famgas më i miri ishte Igor Chiesliov me dhjetë gola. Gjashtë i kishte Arbios Mushkolaj.