Kastrioti fiton ndeshjen e zjarrtë me Slobodën e Tuzlës
14 shtator 2024
| 23:14
Kastrioti i Ferizajt ka shënuar fitore të madhe në skenën evropiane.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, para një numri të madh shikuesish dhe në atmosferë të zjarrtë, Kastrioti e mposhti Slobodën e Tuzlës me rezultat 30:29.
Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të parë të Kupës Evropiane. Ndeshja e kthimit është pas një jave në Tuzla të Bosnjë-Hercegovinës.
Fitorja e Kastriotit është me peshë për klubin ferizajas por edhe për hendbollin kosovar në përgjithësi. Skuadra ferizajase te fitorja arriti falë përkushtimit maksimal dhe luftës sportive nga fillimi e deri në fund.
Fillimi i ndeshjes nuk ishte i mirë për Kastriotin. U humbën disa aksione rresht dhe mysafirët u shkëputën deri në tetë gola, 11:3.
Por gradualisht ferizajasit u kthyen në lojë. Pas pjesës së parë dallimi ishte vetëm dy gola, 16:14 për Slobodën.
Lufta e madhe e vendasve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ndërsa edhe përkrahja nga tribunat ishte në nivel.
Në minutën e 52-të, rezultati u barazua në 25:25, për herë të parë në ndeshje. Në minutën e 55-të, ferizajasit kaluan për herë të parë në epërsi, 27:26. Më pas u shkëputën deri në tri gola, 29:26 e 30:27. Por lojtarët e ekipit boshnjak i shënuan edhe dy gola për rezultatin përfundimtar 30:29.
Deniz Terziqi i shënoi 10 gola për Kastriotin. Tetë i kishte Lulzim Shabani, ndërsa nga katër i realizuan Rron Ramadani e Alessander Santos. Por të gjithë lojtarët dhanë kontribut në fitoren e madhe.