Kastrioti i jep fund dominimit të Besës në Kupë
Kastrioti i Ferizajt do të jetë kundërshtari i Prishtinës në finale të Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të zhvilluar të shtunën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Kastrioti e ka mposhtur skuadrën pejane Besa Famgas me rezultat 25:22. Ishte kjo një gjysmëfinale shumë e fortë dhe dramatike. Sidomos në mbrojtje skuadrat kanë pasur paraqitje të nivelit të lartë dhe rezultati në fund dëshmon që në nivel më të lartë megjithatë ishin lojtarët e Kastriotit. Kështu dominimit të Besa Famgas në garat për Kupë i ka ardhur fundi. Skuadra pejane, Besa, e kishte fituar Kupën e Kosovës në pesë vitet e kaluara, në një periudhë që ka dominuar plotësisht.
Kastrioti te fitorja në gjysmëfinalen ndaj Besës ka ardhur falë mbrojtjes së fuqishme, ndërsa në nivel të lartë ishin si portierët Curri e Esati ashtu edhe lojtarët. Ferizajasit e hapën më mirë ndeshjen dhe krijuan epërsi prej 3:0 me golat e Rajatoskit, Bassombenit e Terziqit. Besa më pas shënoi për 3:1 përmes Drilon Tahirukajt, por epërsia e Kastriotit më pas shkoi në katër gola (5:1). Besa u afrua në 6:5, por prap ferizajasit u shkëputën në më shumë gola dhe pjesa e parë përfundoi me rezultat 13:9. Edhe në fillim të pjesës së dytë Kastrioti vazhdoi me paraqitje të mirë dhe krijoi epërsi deri në 17:12. Më pas ia ka dalur të mbajë epërsi prej disa golave, ndërsa situata u komplikua për ferizajasit në minutën e 43-të pas përjashtimit të Deniz Terziqit, që deri atëherë ishte lojtari kryesor në sulm i Kastriotit. Pas largimit të Terziqit për shkak të tri ndëshkimeve me nga dy minuta, Kastrioti pati telashe fillestare në sulm, por në skenë dolën lojtarët e rinjë si Shabani, Mustafa, Dugolli e mbi të gjitha Bassomben që ia dolën të ruajnë epërsinë deri në fund. Por edhe pas përjashtimit të Terziqit mbrojtja ishte vendimtare, ndërsa Besa ia doli të afrohet më së shumti në dy gola dallim (20:18, 21:19, 22:20).
Afrikani Bassomben dhe Terziqi ishin më efikasët te Kastrioti me nga 7 gola. Te Besa më efikasi ishte Drilon Tahirukaj me 6 gola.
Finalja në mes të Prishtinës e Kastriotit zhvillohet të dielen (nesër) në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve nga ora 19:15.