Kastrioti lufton deri në fund, por megjithatë eliminohet
Ndonëse luftuan deri në fund, lojtarët e Kastriotit janë mposhtur me katër gola dallim nga Slloboda e Tuzllës. Kështu rrugëtimit të skuadrës ferizajase në Kupën Evropiane i erdhi fundi.
Një javë më parë në Ferizaj, Kastrioti kishte fituar me rezultat 30:29. Por të dielën në Tuzëll, pësoi me rezultat 32:28. Kastrioti eliminohet në raundin e parë të Kupës Evropiane. Skuadra ferizajase megjithatë largohet nga garat evropiane në mënyrë të dinjitetshme. Luftoi deri në fund me skuadrën boshnjake që edicionin e kaluar arriti deri në një të tetën e finales të Kupës Evropiane.
Kastrioti ishte në epërsi 15:13 pas pjesës së parë të ndeshjes. Në pjesën e dytë lojtarët e skuadrës boshnjake shfaqën pak më shumë dhe fituan në fund me rezultat 32:28. Deniz Terziqi i realizoi nëntë gola për Kastriotin. Shtatë i kishte Lulzim Shabani, ndërsa Rron Ramadani e Beni Sula i shtuan nga katër. Liridon Esati i kishte dhjetë pritje. Kastrioti tani vazhdon garat vendore me synim për suksese të reja.