Kastrioti pëson humbje në Belgjikë
Kastrioti i Ferizajt e ka humbur ndeshjen e parë të rrethit të tretë të Kupës Sfiduese për hendbollistë. Të dielen në Belgjikë, Kastrioti humbi nga skuadra Vise me rezultat 33:21.
Ndeshja u luajt para 500 shikuesve, kurse pas pjesës së parë rezultati ishte 15:9 për vendasit.
Kastrioti në rrethin e dytë e kishte kaluar Tallinin e Estonisë të cilin e kishte mposhtur dy herë muajin e kaluar në Ferizaj.
Ishin ato fitoret e para evropiane për Kastriotin, skuadrën me histori të pasur. Vise është skuadër më cilësore se Tallini dhe këtë e dëshmoi në ndeshjen e parë. Por ferizajasit shfaqën vlera poashtu , ndërsa do të kërkojnë rezultat shumë më të mirë në ndeshjen e kthimit që zhvillohet më 24 nëntor nga ora 19:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Deniz Terziqi ishte më efikasi te Kastrioti duke shënuar më shumë se gjysmën e golave. Ai shënoi plot 11 herë. Petrit Prekazi shënoi katër gola, Beni Syla tri, Arben Dugolli dy e Hamdi Salihu një.