Kastrioti po bëhet gati për ndeshjen e kthimit, në Evropë edhe pesë skuadra tjera
Kastrioti e ka nisur mbarë edicionin 2024/2025 të garave evropiane, sa i takon ekipeve kosovare të hendbollit.
Të shtunën në Ferizaj, në atmosferë shumë të ngrohtë dhe para një numri të madh shikuesish, Kastrioti e mposhti skuadrën boshnjake, Sloboda Tuzla, me rezultat 30:29. Ferizajasit arritën te fitorja falë përkushtimit maksimal dhe luftës sportive deri në fund. Ndeshja e kthimit është në Tuzla, të dielën nga ora 18:00.
Kastrioti po paraqitet në raundin e parë të Kupës Evropiane për hendbollistë. Aktualisht është në vlugun e përgatitjeve për ndeshjen e kthimit, që do të jetë sfiduese.
Suksesi i Kastriotit do të kishte rëndësi të madhe edhe për motivimin e skuadrave të tjera. Edhe pesë skuadra të tjera kosovare paraqiten në kupa evropiane këtë edicion.
Kampioni te hendbollistët, Rahoveci, garimin e fillon prej raundit të dytë të Kupës Evropiane. Përballë do ta ketë skuadrën nga Belgjika, Sezoens Achilles Bocholt. Ndeshja e parë është në Bocholt të Belgjikës më 19 tetor, ndërsa e kthimit më 26 tetor në Rahovec.
Në raundin e dytë të Kupës Evropiane paraqitet edhe nënkampionia, Besa Famgas. Në Lovosice të Çekisë, Besa e luan ndeshjen e parë me Mesto Lovosice më 19 tetor. Në Pejë është ndeshja e kthimit më 27 tetor.
Te hendbollistet, kampioni Istogu përballet me skuadrën greke Pylaia Thessaloniki në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Ndeshjet zhvillohen në Pejë më 12 e 13 tetor.
Në të njëjtin raund garash, Ferizaj takohet me Caja Rural Aula Valladolid. Klubi ferizajas është pajtur që dy ndeshjet t’i luaj në Valladolid të Spanjës, më 4 e 6 tetor.
Samadrexha paraqitet po ashtu në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Më 12 e 13 tetor në Portugali përballet me skuadrën Colegio Gaia/Colgaya-Toyota.