Kastrioti, Prishtina dhe Besa në Evropë
Tri klubet elitare të hendbollit në Kosovë, Kastrioti, Prishtina dhe Besa Famgas, do të paraqiten në këtë fundjavë në garat ndërkombëtare. Kastrioti synon të shkruajë historinë duke e kaluar rrethin, kurse për kualifikim luan edhe Prishtina. Besa e ka humbur ndeshjen e parë, por synon ta përmbyllë aventurën ndërkombëtare me fitore.
Skuadra e hendbollit nga Ferizaj, Kastrioti, do të luajë në këtë fundjavë në garat ndërkombëtare. Kjo skuadër asnjëherë nuk ka kaluar rrethin dhe këtë gjë synon ta bëjë në kuadër të rrethit të dytë të Kupës Sfiduese (Challenge Cup).
Kundërshtare e Kastriotit është skuadra nga Estonia, Tallinn. Të dyja ndeshjet luhen në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj dhe kjo është një përparësi e madhe për skuadrën e Kastriotit. Ndeshja e parë luhet të shtunën nga ora 19:00, ndërsa e dyta të dielën po nga ora 19:00. “Atmosfera është shumë e mirë, lëndime nuk kemi dhe lojtarët janë të motivuar që ta japim maksimumin, që ta thyejmë akullin dhe të kualifikohemi në raundin tjetër të garave. Ekipi kundërshtar për herë të parë merr pjesë në gara evropiane, por është lider në kampionatin vendor. Ka lojtarë të rinj që armën kryesore e kanë lojën e shpejtë me kundërsulme dhe gjysmë kundërsulme”, ka thënë trajneri i Kastriotit, Verim Zherka. “Përvoja dhe kualiteti është në anën tonë dhe djelmoshat do të bëjnë çmos që KH Kastrioti për herë të parë ta kalojë raundin dhe t’i vazhdojë garat në kupat evropiane. Shfrytëzoj rastin të bëj apel te të gjithë hendbolldashësit ferizajas që të shtunën e të dielën të vijnë në numër sa më të madh që ta përkrahin klubin e tyre të zemrës, klubin e krenarisë së qytetit”.
Përveç Kastriotit, sonte (e shtunë) në gara ndërkombëtare do të paraqitet edhe Prishtina. Skuadra nga kryeqyteti i Kosovës përballet me skuadrën nga Ukraina, ZNTU-ZAB Zaporozhye. Ndeshjet Prishtina – Zaporozhye luhen në kuadër të rrethit të dytë të Kupës Sfiduese, apo Challenge Cup, kurse beson se mund ta eliminojë skuadrën ukrainase. “Ekipi ZNTU-ZAB Zaporozhye është shumë i fortë, por do ta japim maksimumin dhe do të mundohemi t’i befasojmë ukrainasit”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Taib Kabashi. Ndeshja e parë luhet të shtunën nga ora 17:30, kurse e dyta të dielën nga ora 14:00, kurse të dyja zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, raporton “Epoka e re”.
Në këtë fundjavë në garat ndërkombëtare do të paraqitet edhe Besa Famgas. Trajneri i skuadrës pejane, Arben Muqolli, e ka pranuar se skuadra e Drammenit nga Norvegjia është më e mirë se skuadra pejane, por pret fitore sonte (e shtunë) në ndeshjen kthyese që zhvillohet në palestrën “Karagaçi”. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Norvegji, Besa u paraqit mirë, por në fund pësoi humbje me rezultat ë thellë (37:26).
“Jemi duke u përgatitur mirë që të shënojmë fitore. Tash e njohim mjaft mirë kundërshtarin, por për t’u kualifikuar më tutje shanset janë të vogla, pasi Drammeni është një ekip i fortë dhe më i mirë se ne. Besoj se me ndihmën e shikuesve dhe duke shfrytëzuar terrenin vendës, mund të fitojmë. Fitorja e ekipit tonë do të ishte e mirë për gjithë hendbollin e Kosovës, natyrisht edhe për lojtarët tanë dhe për ecurinë e mëtejme të tyre”, ka thënë Muqolli, duke lënë të nënkuptohet se kualifikimi për Besën është një mision i pamundur.
Lidhur me ndeshjen e parë të zhvilluar në Norvegji, Muqolli deklaroi: “Në Norvegji kemi pritur një rezultat më të mirë, por nuk ndodhi ashtu. Deri në mesin e pjesës së dytë qëndruam mirë, por në fund na lëshoi forca për arsye se momentalisht bankën e kemi me lojtarë të rinj. Nuk po kemi mundësi të bëjmë shumë ndërrime në lojëra të forta si këto me Drammenin”.
/Epoka e re/