Kastrioti synon t’i japë fund dominimit të Besës edhe në kampionat
Në konkurrencën e meshkujve finalen e parë e zhvillojnë Kastrioti dhe Besa Famgas. Skuadra nga Ferizaj po synon që t’i japë fund dominimit disavjeçar të skuadrës nga Peja në hendbollin e Kosovës.
KH Kastrioti nga Ferizaj, pas i dha fund dominimit të Besa Famgas në garën e Kupës, të njëjtën po synon të bëjë edhe në kampionat. Finalja e parë në mes të këtyre dy skuadrave zhvillohet sonte (e mërkurë) në Palestrën “Karagaçi” në Pejë nga ora 20:30.
Hendbollisti Arben Dugolli e vlerëson maksimalisht kundërshtarin pejan, por është shumë optimist se skuadra nga Ferizaj do ta fitojë titullin e kampiones. “Na presin ndeshje shumë të forta, pasi të dy skuadrat kanë lojtarë cilësorë. Jemi më të mirë se kundërshtari dhe jemi të motivuar nga triumfi në Kupë, prandaj do të triumfojmë edhe për titull”, ka thënë Dugolli.
Për ndeshjen e parë finale foli edhe hendbollisti i Besës, Ante Kukrika. Ky i fundit ka thënë se skuadra nga Peja duhet të shfrytëzojë në maksimum epërsinë e terrenit vendës dhe ta fitojë titullin. “Sigurisht se do të jetë vështirë, pasi Kastrioti është ekip i mirë. Është me shumë rëndësi që kemi siguruar vendin e parë në stinorin e rregullt, që kemi përparësinë e terrenit vendës. Të gatshëm e presim finalen”, ka thënë Kukrika.
/Epoka e re/